Hasani: Serbia të ndalojë së dërguari ushtrinë në kufi me Kosovën

Përgatiti: Kastriot Tahiri

Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit. Kështu vlerësoi ministri për Evropën dhe i punëve të jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, të martën në Prishtinë.

Pas takimit me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, i pari i diplomacisë së Shqipërisë i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë së dërguari ushtrinë e saj në kufi me Kosovës.

“U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin e 21-të, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri. Askush nuk duhet të bëjë më këtë lojën që është qesharake, sepse të gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë”, tha Hasani.

Shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi nevojën që autorët e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit të dalin para drejtësisë.

“Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë e stabilitetit e gjithë rajonit tonë me pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme”, tha Hasani.

Duke folur për Banjskën, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, sërish i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që ta sanksionojë Serbinë.

“Bashkësia ndërkombëtare pa vonesë të dalë me një qëndrim të qartë rreth asaj që ka ndodhur në Banjskë dhe ta sanksionojë agresorin. Mungesa e ndëshkimit mbart në vetvete rrezikun e përsëritjes, prandaj jo vetëm për hir të paqes dhe mirëqenies së Kosovës, por sidomos për paqen dhe stabilitetin në rajon, bashkësia
ndërkombëtare duhet të mos mbetet e heshtur por të ndëshkojë ashpër çdo tentativë për të destabilizuar vendet fqinje”, tha Gërvalla.

Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Hasani tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit duhet të zbatohen.

Ministri shqiptar gjatë ditës u takua edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca u tha se në takim përpos zhvillimeve të fundit politike dhe ato të sigurisë u diskutua edhe nevoja për koordinimin e vazhdueshëm ndërshtetëror në politikën e jashtme.

Vizita e ministrit Hasani, u bë në kuadër të një turi treditor ku pas Kosovës ai do ta vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA