Përgatiti: Nora Luta
Anëtarësimi në NATO do të jetë synim i Kosovës edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme që të jetë pjesë e këtij institucioni, megjithatë, pengesë, sipas ministrit, janë shtetet mosnjohëse.
Por, Maqedonci thekson se mbështetja e SHBA-së dhe e vendeve të tjera anëtare e përafron integrimin e ushtrisë kosovare në NATO.
Ministri Maqedonci thotë se FSK-ja ka kapacitete të plota për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit.
I pyetur rreth prezencës ushtarake të Serbisë në kufi, tha se paraqet kërcënim të vazhdueshëm.
Rritja e buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës në 201 milionë euro, konsiderohet se ka ndikuar në ngritjen e kapaciteteve dhe furnizimin me armatim.
Dronët bajraktarë janë vetëm një nga llojet e shumta të sistemeve moderne të armatimit, me të cilat është pajisur FSK-ja gjatë këtij viti.
Maqedonci ka folur edhe për ushtrimin “Defender 2023”, duke paralajmëruar se pas dy vjetësh Kosova sërish do të jetë vend mikpritës.
Në mesin e të arriturave të FSK-së gjatë vitit 2023, ai e ka renditur dhe rekrutimin e pjesëtarëve, shkollimin e tyre dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.





