Partia Demokratike vlerëson se Kosova po e përmbyll vitin më të rëndë dhe më të dështuar në politikën e jashtme, që nga shpallja e pavarësisë, pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe pa avancim të agjendës euro-integruese dhe nën sanksione të Bashkimit Evropian.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media, ka thënë se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar nga mungesa e vizionit dhe shumësia e skandaleve.
“Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë, solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut. …Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, tha Çitaku.
Pikërisht draft-statuti i Asociacionit për AAK-në është dështimi më i madh i kësaj Qeverie. Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, u shpreh i bindur se Gjykata Kushtetuese do t’i korrigjojë këto gabime.
“Maja e dështimit të kësaj qeverie është draft-statuti i Asociacionit, i cili është prezantuar dhe njëkohësisht menaxhimi i gjithë procesit të dialogut. Si shtet kemi për obligim që ta ruajmë sovranitetin, lirinë dhe institucionet vitale që i kemi. Kurti si kryeministër ka arritur ta sfidojë seriozisht sistemin një shkallës të Qeverisë së Kosovës”, tha Tahiri.
Shefi i deputetëve të AAK-së foli edhe për Ligjin e Pagave, duke thënë se Qeveria i ka varfëruar zyrtarët publikë.
“Për tri vjet rresht, katër herë e kanë pasur në agjendën legjislative Ligjin e Pagave. Edhe atëherë kur e kanë miratuar, e kanë miratuar një ligj i cili në një numër të caktuar të kategorive e ka zvogëluar pagën, te një numër i madh e ka rritë për 10, 15 apo 20 euro. Vetëm te kategoria e specializantëve ka pasur një ngritje në sektorin e shëndetësisë. Mbi 72 mijë zyrtarë publikë ballafaqohen me sistemin më të ulët të pagave në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Tahiri.
Deputeti i AAK-së në konferencën e fundit për këtë vit tha se Qeveria e Kosovës ka dështuar edhe në disa sektorë, siç janë ai i arsimit, i shëndetësisë, si dhe në fushën e diplomacisë. /atvlive.tv





