Përgatiti: Nora Luta
Zyrtarët policorë në Malishevë janë detyruar të blejnë vetë këpucë.
Inspektorati Policor i Kosovës në raportin e inspektimit për vlerësimin e performancës, thotë se gjatë inspektimit kanë hasur çizme të grisura dhe se kjo gjendje jo e mirë me furnizim të rregullt me rroba për policët është më shumë se tri vjet.
Përveç uniformës, në këtë stacion ka mungesë edhe të radio-lidhjeve.
“Ka ankesa edhe sa i përket mospërshtatjes së numrave të uniformës, varësisht prej madhësisë. Zyrtarët e inspektuar, në mungesë të uniformës adekuate sezonale kanë kombinuar uniformën verore me atë dimërore. Janë hasur çizme të grisura dhe këpucë të blera nga vetë zyrtarët policorë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Për më tepër ka gjetur se aparati për shuarjen e zjarrit në dhomën e dëshmimeve është me afat të skaduar.
Me afat të skaduar, IPK-ja ka hasur edhe në spërkatës kimik.
“Sa i përket sprejit duhet pasur parasysh se në rastet e mungesës së tyre, hendikepohet puna e zyrtarëve policorë, kurse në anën tjetër, përdorimi eventual i atyre me afat të skaduar mund të ndikojë në shëndetin e personave, me të cilët mund të ketë ballafaqim”, thuhet më tej në njoftimin e IPK-së.
Ndërkohë, sipas IPK-së, disa nga automjetet e inspektuara të Policisë në këtë stacion janë pa dokumentacion.
“Katër (4) nga pesë (5) automjetet e inspektuara nuk kanë certifikatë regjistrimi, si dhe policën e sigurimit. b) Të pesë (5) automjetet e inspektuara nuk kanë Raportin Evropian të Aksidentit. c) Një automjeti (105-05) i mungon trekëndëshi i sigurisë dhe dritat rezervë. Automjetet policore janë hasur të papastra, si brenda ashtu edhe jashtë, duke ofruar imazh jo të mirë te qytetarët mbi këto asete policore”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Inspektorati Policor ka rekomanduar që të ndërmerren hapa urgjent për furnizimin me uniforma policore dhe mbathje, furnizimin e stacionit me spërkatës dhe radio-lidhje.
Në mesin e rekomandimeve, IPK-ja ka theksuar edhe intensifikimin e kontrolleve të brendshme dhe të paralajmëruar në Dhomën e dëshmive.