Rreth 100 qytetarë serbë të veriut, shumica afaristë, kanë protestuar sot në veri të Mitrovicës, kundër ndalimit të importit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe konfiskimit të tyre.
Ata po ashtu njoftuan se kanë nisur edhe një peticion, përmes të cilit kërkojnë nga organet përgjegjëse lejimin përsëri dhe pa pengesë të këtyre mallrave në Kosovë.
Dushan Gashiq, i cili foli në emër të protestuesve, tha se dëshirojnë që gjendja të kthehet si më parë.
“Ne dëshirojmë që aksionet e njëanshme të konfiskimit të mallrave të ndërpriten. Duam që gjendja të kthehet sikur para muajit qershor, kur është marrë një vendim i tillë për mallrat me origjinë serbe… Dua të potencoj se aksionet e tilla nuk po iu pëlqejnë as qytetarëve në jug të Ibrit. Para së gjithash e kam fjalën për shqiptarët”, tha Gashiq.
Protesta që zgjati rreth një orë, kaloi pa ndonjë incident, derisa në shenjë solidarizimi, të gjitha dyqanet në veri të Mitrovicës u mbyllën nga ora 12:00 deri në 14:00.
Më 14 qershor, Qeveria e Kosovës ndaloi hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”. Ky vendim ishte përgjigje ndaj arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në qershor të vitit 2022, Kosova kishte importuar mallra nga Serbia në vlerë prej afro 34 milionë eurosh. Krahasuar me këtë periudhë, të dhënat e qershorit të këtij viti, tregojnë rënie të importit të produkteve serbe, pasi vlera e mallrave të importuara nga Serbia është rreth 13 milionë euro. /atvlive.tv