Përgatiti: Artoni Hamiti
Tenderin 2 milionësh “Për furnizim me Çizme për nevoja të FSK-së” Ministria e Mbrojtjes ia dha operatorit ekonomik “RUNWAY SH.P.K.”
Në dokumentet e siguruara nga ATV-ja, del që kjo kompani është regjistruar në ARBK, vetëm tre muaj para hapjes së tenderit.
Televizioni, po ashtu, posedon dëshmi që njërit prej aksionarëve i ndalohej pjesëmarrja në aktivitete të prokurimet, meqë sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit, ai paraprakisht falsifikoi dokumente në një tender të Policisë.
Vetë Sabit Makiqi, aksionar në kompaninë fituese, tha se kjo nuk paraqet asnjë problem, pasi në kohën kur është hapur tenderi, ai nuk ishte i sanksionuar nga OSHP-ja.
“Në biznesin “Runway SHPK” është e vërtetë që jam bashkëpronar, por kjo është krejtësisht ligjore. Ndërkaq, biznesi Sabit Makiqi B.I., asnjëherë nuk ka qenë në listën e zezë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe me ketë biznes nuk është ofertuar në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me Çizme”. Në këtë aktivitet është ofertuar në konsorcium me kompani mjaft serioze turke”, tha Makiqi.
Sidoqoftë, për Diana Metushin nga KDI-ja, situata është dashur të merret parasysh nga Ministria e Mbrojtjes.
Sipas saj, Organi Shqyrtues i Prokurimit duke shqiptuar ndëshkime të buta, po i amniston shkelësit e ligjit.
Teksa operatorit ekonomik “Sabit Makiqi B.I” për falsifikim të dokumenteve iu ndalua pjesëmarrja në aktivitet të prokurimit për 9 muaj, ditë më parë Gjykata Komerciale pezulloi punimet në “Rrugën A”, ndërkaq Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Naim Sallahut pikërisht për të njëjtën arsye.






