Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Daniel Musollaj, qytetar nga Prishtina, nuk ia ka idenë së si do të përdoren 100 biçikletat, të cilat i bleu komuna e Prishtinës për transport publik 2 muaj më parë.
Ndonëse, të premten, ato u sollën në Prishtinë, Musollaj thotë se biçikletat nuk do mund të shfrytëzohen siç duhet nga qytetarët, nëse komuna nuk merr hapa konkretë për përdorimin e tyre.
“Është mirë që i kanë sjellë, por ka pak informacione për to, s’ka aplikacione, s’ka udhëzime, andaj patjetër duhet të bëhen këto dyja”, tha Musollaj.
Njësoj mendon edhe studenti i fakultetit të edukatës fizike, Aridon Luta, i cili tërë pasditen e kalon duke ngarë biçikletën.
“Me këtë aktivitet merrem çdo ditë, është mirë për Prishtinën ta ketë këtë lloj transporti, por duhet të bashkëngjiten edhe detaje të tjera se si do të shfrytëzohen”, tha Luta.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, thotë se janë duke punuar që projekti në fjalë të finalizohet shumë shpejt.
“Natyrisht që ka vend për përmirësime, ne do ta shohim se çfarë është më e lehtë për qytetarët dhe t’i krijojmë ato alternativa”, tha Zogaj.
Megjithatë, Zogaj dha detaje për vendstacionet e biçikletave.
Mirëpo, kjo nuk do të bëhet edhe për një kohë.
Biçikletat, së bashku me procedurat deri në shfrytëzimin e tyre nga qytetarët, Komunës së Prishtinës i kushtuan 500 mijë euro.