Këtë të premte, për të gjashtën herë ka dështuar që të konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezerva shtetërore, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i këtij Komisioni Rashit Qalaj, tha se është e pakuptimtë mos marrja pjesë e VV-së në këtë Komision. Sipas tij, interpretimi që kanë marrë nga Zyra Ligjore e Kuvendit, vetëm sa ka shtuar konfuzitetin dhe nuk ka sqaruar asgjë.
Ai sqaroi se javën e ardhshme do të bëhen publike lista e të intervistuarve duke filluar nga kryeministri Albin Kurti, madje edhe faktet për keqpërdorime.
“Nuk kemi sqarim pse nuk po vijnë, të gjitha Komisionet e tjera po funksionojnë. Ky Komision është i e vetmi që po merret me hetimin e rezervave shtetërore, dhe pa dyshim mund të themi që ata po mundohet të bojkotojnë informonim e qytetarëve për keqpërdorimet që janë bërë”.
“Kemi dërguar një interpretim te Zyra Ligjore. Kemi marrë opinion që nuk sqaron asgjë, po e shton konfuzitet. Nuk ka sqarime a mund të zëvendësohen anëtarët që nuk po vijnë. Dyshimet për ke përdorim janë të bazuar ngase kemi shumë fakte që do të bëhen publike javën e ardhshme, do të bëjmë publike edhe njerëzit që do të duhej të ishin këtu për tu intervistuar duke nisur nga kryeministri Albin Kurti e deri te njeriu i fundit”.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka ndërmarrë një aksion simbolik ndaj mosprezencës së deputetëve të Vetëvendosjes në konstituimin e Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore.
Ai ka vendosur në ulëset e deputetëve të munguar nga një letër ku shkruhet paga e tyre që marrin nga Kuvendi i Kosovës, duke marrë për bazë kontekstin nga protesta e policisë që kërkuan paga më të larta e që Qeveria iu përgjigj duke publikuar pagat e tyre me shtesa.
“Po shihet qartë që ata kanë vendosur të mos vijnë në këtë komision dhe të pengojnë funksionimin e tij. Unë kam vendosur sot në mënyrë simbolike të gjithë deputetëve që nuk janë prezent me i tregu se sa para marrin dhe sa kanë marrë deri sot, dhe i bojkotojnë mbledhjet”.
Kritika pati edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
“Lidhur me opinioni ligjor, mua po më shqetëson fakti që kam vërejtur mungesë guximi nga një departament ligjor, që nuk i përket një partie ose tjetër. Më vije shumë keq që disa djem e vajza me ardhur në një pikë ku frikësohen me na dhënë një opinion për pyetjet që i kemi parashtruar. Propozimi im është që ky komision ta ftoj ministren Rozeta Hajdari për një seancë dëgjimore, që kjo të na shërbejë ne që të shohim se çfarë të përfshijmë në planin e punës”.
Në pesë tentimet e kaluara, konstituimi i këtij Komisioni ishte i pamundur për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Mospjesëmarrja e deputetëve të pozitës në këtë Komision, nga opozita është kritikuar vazhdimisht, duke thënë se të njëjtit po fshehin diçka.