Përgatiti: Benita Zeneli
I ka të alokuara mbi 1 milion e 200 euro, por për 9 muaj të këtij viti i shpenzoi vetëm mbi 66 mijë euro. Rrjedhimisht, Shtërpca është komuna me më së paku shpenzime në projekte kapitale, vetëm 5%, dhe renditet pas 4 komunave veriore që kanë 0% shpenzime.
Pak nga buxheti për projekte kapitale ka shpenzuar edhe komuna Ranillug, vetëm 11%, Hani i Elezit 15% dhe me nga 16% komuna e Fushë-Kosovës, ajo e Novobërdës dhe ajo e Vushtrrisë.
“Tash jemi në vlugun e punës, kështu që ajo nuk duhet të qëndrojë, të presim edhe pak dhe ta shohim finalen kur të arrijmë te 80%”, tha Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Ndërkaq, më mirë qëndrojnë komunat si Prizreni me 50% të mjeteve të shpenzuara për investime kapitale, Graçanica me 57% si dhe Skenderaj e Ferizaj me nga 59%.
“Shumica e komunave, në vitin 2022 kanë shpenzuar më shumë se 90% respektivisht 100% të buxhetit, dhe kjo gjë besoj fuqishëm që do të ndodhë edhe me buxhetin e vitit 2023”, tha kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Ndërkohë, në listën e shpenzimeve për 9 muaj prin komuna e Malishevës me 93% të buxhetit për projekte kapitale, 91% Obiliqi, kurse Deçani me progres prej 78%.