Gjatë ditës së djeshme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në prezencë të 76 shteteve dhe rreth 1300 pjesëmarrësve nga të gjitha kontinentet, mbajti fjalim në World Food Prize Foundation.
Gjatë fjalimit, ndër të tjera, ka përmendur “Darkën e Lamës” dhe ka shpjeguar domethënien e saj.
Ajo tha se këtë festë e ka rikthyer në Kosovë, presidenti Ibrahim Rugova.
“Dua të përmend se themeluesi i pavarësisë së Kosovës, presidenti Rugova, ka rikthyer traditën mijëvjeçare, festën që ne e quajmë “Darka e Lamës”. Një mënyrë unike për të shprehur mirënjohjen për bekimet e tokës, kulturat e shquara nga puna e fermerëve tanë. Rast perfekt për të shprehur mirënjohjen tek miqtë dhe partnerët nga e gjithë bota për miqësi e partneritet”, tha Osmani para të pranishmëve.
Darka e Lamës e njohur edhe si darka e lamijeve, darka e fushës, darka e bereqetit, është një festë dhe ditë tradicionale e shënuar, që në fakt ka të bëjë me kremtimin e përfundimit të të korrurave të drithërave, e të korrave vjeshtore, e shtruar për të festuar vitin e bereqetshëm.
Këtë vit, presidentja Osmani, këtë organizim e ka shënuar me Policinë e Kosovës në kampin “Enver Zymeri” në Mitrovicë, në shenjë mirënjohjeje për gratë e burrat në uniformë.