Një delegacion i Kosovës i udhëhequr nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz, së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ambasadorët Agron Bajrami e Lulzim Hiseni dhe zyrtarët tjerë përcjellës, kanë qëndruar dje në Strasburg.
Kjo pasi Parlamenti Evropian gjatë seancës së rregullt plenare miratoi me konsensus liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.
Sipas MPJD-së, me këtë hap përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave i cili nënkupton se shtetasit me pasaporta biometrike kosovare mund të udhëtojnë dhe qëndrojnë në shtetet e Zonës Schengen më së largu nga 1 janari 2024.
“Aty, ministrja shfrytëzoi rastin të takojë një numër eurodeputetësh të cilët i falënderoi shumë për kontributin e tyre në përmbylljen e këtij procesi”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
“Pas miratimit, ministrja gjithashtu organizoi një pritje rasti për eurodeputetët, ku morën pjesë përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare prezente në Parlamentin Evropian”.