Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin CONTEXT në ATV, duke folur për procesin e zgjatur të liberalizimit të vizave, tha se BE-ja nuk i ka mbajtur premtimet e veta ndaj Kosovës dhe si një evropiane që ka punuar në këtë drejtim, ndjehet paksa e turpëruar për këtë gjë.
“Si një evropiane që punon në këtë fushë, ndjehem pak e turpëruar. Nuk besoj se ne i kemi mbajtur premtimet tona. Ky është një proces i bazuar në merita dhe pas plotësimit të kritereve, zotimi ynë ka qenë që të japim edhe liberalizimin e vizave. Kështu që mendoj se është një përpjekje e përbashkët, por nuk ka asnjë person për të akuzuar, sepse ka pasur shumë rezistenca për arsye të brendshme në Këshillin Evropian dhe kanë qenë disa shtete që kanë bërë jetën tuaj më të vështirë”, tha Von Cramon.
Ajo tha se për këtë që është arritur sot, është përpjekje e përbashkët nga ana e Kosovës dhe disa vendeve anëtare të BE-së, prandaj sipas saj, nuk ka ndonjë person ose qeveri të caktuar që mund të marrë merita për finalizimin e liberalizimit të vizave për Kosovën. /atvlive.tv