Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Për 10 muaj, 74 raste të dhunës seksuale janë ekzaminuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Duke e konsideruar si një nga krimet më të rënda, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se pavarësisht reformave në këtë drejtim, shqetësues mbetet numri i lartë i këtyre rasteve.
“Për fat të keq të dhënat e fundit në Kosovë tregojnë për një rritje të rasteve të dhunës seksuale. Nëse i marrim statistikat nga janari deri shtatori, në vitin 2023, janë 74 raste të ekzaminuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Të dhënat gjithashtu tregojnë një numër në rritje të konsiderueshme të fëmijëve, që janë të mbijetuar të kësaj forme të dhunës krahasuar me numrin e të rriturve”, tha Haxhiu.
Numri i lartë i rasteve, sidomos ndaj të miturve, sipas Haxhiut, duhet të jetë alarm që organet e rendit të bashkëpunojnë më shumë dhe të ndërmarrin masa.
“Gjatë këtyre dy viteve mandat, kemi iniciuar dhe kemi zbatuar një seri reformash ligjore e financiare, të cilat adresojnë ngacmimet, por edhe dhunën seksuale dhe fuqizojnë politikat e parandalimit”, tha Haxhiu.
Për ndikimin e dhunës seksuale te fëmijët, ka folur Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti.
“Ndikon si në familje në vetvete duke pasë parasysh që kemi raste nga mosha 8 vjeçare…”, tha Rushiti.
Këto deklarime u bënë gjatë lansimit të projektit “Rehabilitimi dhe Riintegrimi i të Miturve – Viktima të Dhunës Seksuale”, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).