Ish-Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, dhe njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, në edicionin special “STUDIO E HAPUR” në ATV që i kushtohet votimit të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovë, tha se është shqetësuese që diaspora po shikohet vetëm nga dimensioni financiar.
Ai tha se kontributi i diasporës në ekonominë kosovare është shumë më i madh se që jepen të dhënat statistikore.
“Çdo ditë e më tepër jam duke u bindur se në Kosovë, statistika jep rezultate të sakta të të dhënave të gabuara. Në qoftë se mendohet të ndërtohet ardhmëria me të dhëna të gabuara vërtetë duhet të jetë shqetësuese. Në rënd të dytë, kontributi dhe potenciali i diasporës është shumë më i madh se sa që pranohet në Kosovë. E them këtë në mënyrë të argumentuara. Në qoftë se analizoni, ekzistojnë tri forma të dërgesave nga diaspora, e para është forma direkte përmes institucioneve dhe bankave të ndryshme komerciale, e dyta është ndihma më e madhe që diaspora e bën është gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë dhe e treta është në mënyrë periferike. Ajo që me brengosë është që sot vlera e diasporës varet vetëm nga kuti apo dimensioni financiar, mirëpo po e them me përgjegjësi morale dhe profesionale që kontributi i diasporës në Kosovë në këto tri forma është i barabartë me buxhetin e miratuar në parlamentin e Kosovës”, tha Gërxhaliu. /atvlive.tv