Përgatiti: Arian Hajdaraj
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti duke komentuar sulmin terrorist në veri të Kosovës, më 24 shtator deklaroi se autoritetet kosovare tashmë i kanë njoftuar të gjithë partnerët se Serbia qëndron prapa tij.
“Ajo çka ndodhi me 24 shtator, sulmi terrorist si formë e agresionit nga Serbia ishte ajo çka kishim paralajmëruar se do të mund të ndodhte. Sigurisht se ne që nga ajo ditë kemi njoftuar në baza të rregullta të gjithë partnerët dhe të gjitha vendet ku kemi përfaqësim, qoftë primar apo sekondar përmes misioneve diplomatike apo konsullore. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne me kohë e kemi bërë të qartë se për çfarë po bëhet fjalë. Për një sulm të tillë, për një agresion të tillë duhet personel, armatim dhe planifikim”, tha Ahmeti.
Ahmeti, përsëriti qëndrimin e Qeverisë se për këtë akt të agresionit, Serbia duhet të ndëshkohet derisa konsideron se dialogu për normalizim të raporteve me këtë shtet nuk mund të vazhdojë njëjtë.
“Sa më pak që të ketë pasoja Serbia aq më shumë ka mundësi për sulme dhe sa më shumë që të ketë sulme aq më pak do të lihet mundësi për dialog. Prandaj është thelbësore që të kemi pasoja dhe sanksione ndaj Serbisë në këtë rast”, tha Ahmeti.
Në anën tjetër, shtoi se Ministria e jashtme është duke punuar vazhdimisht me pesë vendet e Bashkimit Evropian jonjohëse të Kosovës. Ai përmend në veçanti raportet me Greqinë, të cilat sipas tij, po thellohen ani pse s’ka njohje formale.