Përgatiti: Fatlum Jashari
Serbia, sipas Bashkimit Evropian, nuk mund të fshihet prapa mos-njohjes së Kosovës për të penguar kompletimin e hetimit për sulmin terrorist të 24 Shtatorit në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Duke e njohur si zyrtar hetimin e Policisë së Kosovës, të mbështetur nga EULEX-i, BE-ja u përgjigj për refuzimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për bashkëpunim me Kosovën, me pretekst mosnjohjen.
“Ne presim nga Serbia, jo vetëm bashkëpunim të plotë, por gjithashtu bashkëpunim të pakushtëzuar. Nëse ka vullnet, ka rrugë. S’ka nevojë askush të fshihet prapa formaliteteve të njohjes ose jo-njohjes, ka mjaftueshëm mënyra për të ndarë gjetjet, për të bashkëpunuar, për të kontribuuar në hetimin e plotë, sepse ajo që ndodhi më 24 shtator ishte shumë serioze dhe ka nevojë të qartësohet tërësisht. Sepse do të ketë pasoja. Prandaj duhet të hetohet tërësisht”, tha zëdhënësi i BE-së për Politike të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.
Teksa theksoi se rezultati i hetimit do të përcaktojë hapat e mëtejmë dhe qasjen e BE-së ndaj Serbisë, Kosovës dhe dialogut, zëdhënësi Stano kërkoi që të dyja shtetet të bëjnë gjithë çfarë është e mundur për deeskalim të shpejtë.
“Mesazhi nga Përfaqësuesi i Lartë, nga shtetet anëtare, por dhe partnerët ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, është që të kthehen në dialog. Kjo është rruga e vetme e mundshme për ta zgjidhur problemin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kthimi në dialog, është pa mëdyshje mesazhi për të dyja palët, duhet të ktheheni në dialog, ndryshe nuk do të zgjidhni problemet”, tha Stano.
Vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë, procedurë e cila kërkon unanimitet të plotë brenda BE-së, është përjashtuar si mundësi, për shkak të refuzimit të Hungarisë.
Mundësi mbesin masat politike dhe ekonomike, si nivel më i ulët i ndëshkimit.
Përkundër raportimeve se ka një pako masash të përgatitur kundër Serbisë, BE-ja ende nuk ka njoftuar ndonjë vendim lidhur me këtë.
Krerët shtetërorë të Kosovës e kanë bërë të qartë pozicionin se nuk do të kthehen në dialogun e Brukselit, pa ndëshkimin e Serbisë për përgjegjësinë e saj në atë që e vlerësojnë “akt agresioni, nëpërmjet sulmit terrorist-paramilitar” të 24 Shtatorit.