Përgatiti: Fatlum Jashari
Kryeministri Albin Kurti kërkoi që Serbia të ndëshkohet për rolin e saj si shtet në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy zyrtarë policorë.
Pasi tregoi se shumica e të identifikuarve janë pjesëtarë të dy organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, kryeministri theksoi përfshirjen e shtetit serb në sulmin e udhëhequr nga Milan Radojicic.
“Çështja më e rëndësishme dhe urgjente sot është siguria për Kosovën e sulmuar dhe ndëshkimi për sulmuesit. Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë, e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, të dielën e 24 shtatorit”, tha Kurti.
Pa e përmendur direkt dialogun, kryeministri Kurti tha se asnjë forum apo samit nuk mund të jetë njësoj pas sulmit terrorist ndaj Kosovës.
“Derisa unë kam qenë në tavolinën e dialogut në Bruksel dhe në samitet e Procesit të Berlinit, për t’i lidhur marrëveshjet për të ardhmen, siç kemi parë para një jave Serbia po punonte në plane ushtarake për aneksimin e territorit tonë. Kjo tregon që fqinji ynë në veri nuk është i interesuar për bashkëpunim rajonal, për anëtarësim në BE. Por, në vend të kësaj ka orientime alternative gjeopolitike të cilat janë në frymën e ambicieve hegjemonike ndaj fqinjëve. Është me rëndësi që pas sulmit terrorist të Serbisë ndaj Kosovës të mos vazhdohet sikur asgjë nuk ka ndodhur”, tha Kurti.
Më pak se dy javë nga takimi në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit, kryeministri Albin Kurti tha se bashkëpunimi rajonal duhet të bazohen në parimet e barazisë dhe reciprocitetit.
Ai theksoi keqardhjen që Samiti i 16 Tetorit pritet të mbahet pa nisjen e zbatimit të tri marrëveshjeve të nënshkruara në Nëntor të vitit të kaluar, në Gjermani.