Dëshmitari i tretë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, Naser Koqinaj, ka thënë se gjatë luftës nuk ka dëgjuar për ndonjë person me nofkën “Ujku”.
Këto komente, dëshmitari i bëri pas pyetjes së avokatit të palës mbrojtëse, Jean-Louis Gilissen lidhur me atë se a ka njohur ndonjë person me këtë nofkë gjatë kohës së luftës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
I pyetur se gjatë qëndrimit të tij në Fabrikën e Metalit në Kukës a ka dëgjuar për ndonjë person me emrin Pjetër Shala, (dëshmitari nuk është dëgjuar).
Ndryshe, në sesionin e paradites dëshmitari Koqinaj i është përgjigjur pyetjeve të palës mbrojtëse, të cilën e ka përfaqësuar avokati Jean-Louis Gilissen.
Ai nga avokati Gilissen është pyetur për periudhën nga fillimi i kyçjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e deri në përfundim të luftës.
Me këtë rast, dëshmitari Koqinaj ka thënë se në UÇK është kyçur në vitin 1998 dhe ka vazhduar angazhimin e tij në Magazinën numër 2 në Kukës, si person i caktuar për shpërndarjen e uniformave të UÇK-së deri në përfundim të luftës, ku bashkë me ushtarët gjermanë të KFOR-it është kthyer në Kosovë, respektivisht në Prizren.
Ndërsa, për angazhimet në magazinën e lartcekur, dëshmitari ka thënë se ai vetë e ka hapur dhe mbyllur këtë magazinë, aty nuk ka fjetur askush në të sepse sipas tij në magazinë ka pasur vetëm uniforma.
Ai ka thënë se person përgjegjës i magazinës ka qenë Rexhep Kelmendi.
Po ashtu, dëshmitari është pyetur se a kishte njohuri kush ishin Zijadin Hoxha dhe Bedri Dervishaj, dhe për doktorin Ilir Rakaj. Ndërsa, përgjigjet e dëshmitarit në disa pyetje të avokatit të palës mbrojtëse nuk janë dëgjuar.
Naser Koqinaj fillon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i tretë i mbrojtjes, Naser Koqinaj, i cili njëherësh është dëshmitari i 15-të me radhë në këtë çështje.
Emri i dëshmitarit Naser Koqinaj, është përmendur edhe dje në seancën ku ka dëshmuar dëshmitari i dytë i mbrojtjes Bedri Dervishaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.
Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.
Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor dhe e përfundoi më 3 korrik.
Dëshmitari i 10-të me radhë, eksperti Ëilliam Goodëin ka përfunduar dëshminë e tij më 4 korrik.
Ndërkaq më 21 gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave, kur janë dëgjuar në të njëjtën kohë dëshmitaret 11-të dhe 12-të, konkretisht dy ekspertet mjeko-ligjore Karin Dune-Prinsen dhe Lozano Parra. E më 20 shtator filloi dëshminë dëshmitari Bardhyl Mahmuti, i cili e përfundoi më 21 shtator.
Kurse, më 3 tetor 2023 filloi dhe përfundoi dëshminë dëshmitari Bedri Dervishaj.
Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.