Përgatiti: Driton Sadiku
Përveç armëve e veturave të shumta që Policia e Kosovës konfiskoi gjatë aksionit në Banjskë të Zveçanit, ata konfiskuan edhe disa harta.
Ato, siç tha drejtori i Policisë Gazmend Hoxha, në konferencën e së dielës, ishin përdorur nga terroristët serbë për ta bërë planin për aneksimin e veriut.
Siç përmendi Hoxha, plani ishte që të sulmoheshin 37 pika brenda veriut, në mënyrë që të jetësohej ky plan.
Kjo sipas profesorit të lëndëve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, do të nënkuptonte sulme ndaj pjesëtarëve policisë në mënyrë që t’i neutralizojnë ata, për të mos e penguar aksionin e tyre.
Por jo vetëm, sulmet, sipas profesorit të shkencave politike Nexhmedin Spahiu, do mund të ishin edhe në pika kufitare, që më pas të futej edhe ushtria serbe.
I pyetur nga gazetarët se ku ishte plani që të vendosej kufiri pas sulmit, drejtori Hoxha nuk u përgjigj direkt, por la të kuptohej se qëllimi ishte ta vendosnin atë tek ura e Ibrit.