Banjska, dëshmi e nevojë për infrastrukturë dhe bazë policore

Përgatiti: Fatlum Jashari

Terreni i vështirë kodrinor-malor dhe infrastruktura e pazhvilluar, krahas mungesës së një baze të Policisë në zonën Banjskë-Izvor, sipas ekspertëve të sigurisë ia lehtësuan veprimin e grupit terrorist të prirë nga Milan Radojicic.

Ndonëse, operacioni i njësive elite të Policisë rezultoi i suksesshëm, terreni dhe infrastruktura vlerësohen si pengesa në punën e tyre, në favor të grupit terrorist në këtë rast dhe kontrabanduesve në raste të tjera.

Në këtë kontekst, eksperti Drizan Shala theksoi se për të siguruar mbulueshmëri më të madhe, Qeveria duhet t’i nisë menjëherë investimet në infrastrukturë dhe logjistikë, në rrugën parësore dhe dytësore.

“Të ndërtohet një bazë e përhershme policore, e cila do t’i kontribuonte stabilitetit dhe qëndrueshmërisë operacionale. Dhe, raste të tilla të ikjes së personave dhe formacioneve të caktuara do të ishin minimale, sepse tanimë është vërejtur dhe ata e kanë studiuar bukur mirë terrenin dhe relievin, dhe e kanë parë që pikërisht dy rrugët që çojnë në Izvor janë të pambuluara nga Policia, në mënyrë statike, dhe pikërisht e kanë shfrytëzuar këtë element”, tha Shala.

Krahas vlerësimit se vitin e fundit Policia e ka zgjeruar zonën e kontrollit në veri, edhe profesori i lëndëve të sigurisë, Avni Islami, vlerësoi se gjendja aktuale infrastrukturore iu përshtat grupit terrorist.

“Të rregullohet infrastruktura rrugore dhe Policia të vendosë baza të përhershme të Policisë, të njësive speciale, në mënyrë që të kontrollohet ajo pjesë më lehtë dhe në mënyrë që të mos u lejohet grupeve terroriste dhe ushtarake të veprojnë në atë pjesë”, tha Islami.

Shala vlerëson se sulmi terrorist i 24 Shtatorit, duhet të shërbejë si urgjencë për investime.

“Kjo të bëhet sa më parë të jetë e mundur dhe në afatin rekord prej shtatë ditësh të punës, do të duhej të kishim kontejnerët e parë në atë pjesë”, tha Shala.
Në dy vjetët e fundit, Policia ka rindërtuar bazat e përhershme në Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe në disa zona të tjera në veri të vendit.

Por, në zonën kodrinore-malore ndërmjet dy rrugëve nacionale për Jarinjë dhe Bërnjak, ku do të duhej të ishte funksionalizuar pika kufitare e Izvorit, Policia nuk ka asnjë bazë dhe patrullimi është i vështirë dhe i rrezikshëm.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA