Javë e ngarkuar, Kuvendi do t’i mbajë tri seanca

Përgatiti: Armand Hoti

Java aktuale pritet të jetë e ngarkuar për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata këtë javë do të angazhohen në tri seanca.

E mërkura do të shfrytëzohet për shqyrtimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara. Të enjten do të mbahet seanca e radhës plenare, kurse të premten deputetët do të mbajnë seancë të veçantë plenare ku do të bëhen vetëm pyetjet parlamentare.

Deputeti i partisë në pushtet Armend Muja, theksoi nevojën e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, teksa kritikoi opozitën për mosvotim të këtyre marrëveshjeve.

“Në të kaluarën ka pasur një praktikë të mirë të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Nuk e di se si mendojnë ta bëjnë këtë. Marrëveshjet kërkojnë 2/3 e votave. Tash i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme, ndër to është linja hekurudhore 10, e dyta është ngrohja qendrore e Prishtinës dhe e treta është rrjeti energjetik, apo investimi i Qeverisë gjermane për KOSTT-in”, tha Muja.

Megjithatë, partia më e madhe opozitare insiston se nuk do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

Në seancën e së enjtes, sipas kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, partia e tij do ta propozojë draft-rezolutën, e cila, siç u shpreh ai, synon përmirësimin e kushteve të policëve kosovarë.

“Me këtë rezolutë, rritet efikasiteti dhe e tregojmë seriozitetin ndaj këtij institucioni si shtet. E pamë se sa e rëndësishme është Policia, nga sulmi terrorist që ndodhi në Kosovë. Prandaj, është e rëndësishme që këta njerëz që po na bëjnë krenarë, ta marrin edhe trajtimin e merituar… Nuk ka kuptim t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, kur Kosova është ende nën sanksione e asnjë marrëveshje nuk do të zbatohet”, tha Tahiri.

Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka arritur t’i mbledhë 40 nënshkrime, me ç’rast në seancën e jashtëzakonshme pritet të kërkohet rritja e vlerës së koeficientit në Ligjin për Paga nga 105 në 129 euro.

“AAK-ja ka përfunduar mbledhjen e 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme, për rritjen e koeficientin nga 105 në 129 euro. Kjo do të prekë edhe rritjen e pagave të policëve të Kosovës, që tani të kalojmë prej fjalëve në veprave dhe besoj që do ta kemi edhe mbështetjen e deputetëve të pozitës”, tha kryetari i GP të AAK-së.

Ndërkaq, AAK-ja nesër do të organizojë tryezë diskutimi në Kuvend, në të cilën do diskutohet për gjendjen e sigurisë në vend.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA