Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka dënuar sulmin nga një grup terrorist serb në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Duke kërkuar reagim të fortë ndërkombëtar, Plenkoviç tha se armatimi i rëndë i grupit kriminal tregon se i njëjti ka qenë i planifikuar dhe që nuk ka ndodhur rastësisht.
Kryeministri kroat në konferencë për medie së bashku me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci tha se incidenti i 24 shtatorit në Kosovë është shumë serioz dhe sinjal i që tregon se ka forca që duan të destabilizojnë Kosovën dhe tërë situatën në Evropën juglindore.
“Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga grupe të armatosura të cilat kanë qenë të armatosur në formë të tillë, duke e bërë të qartë se këtu bëhet fjalë për operacion paraprakisht të planifikuar. Me pajisje të tilla dhe numër të madh njerëz nuk është diçka që ka ndodhur rastësisht. Si i tillë ne konsiderojmë se kjo ngjarje është një incident shumë serioz dhe sinjal i fortë që tregon se ka forca që duan të destabilizojnë Kosovën, raportet Kosovë-Serbi dhe tërë situatën në hapësirën Evropën juglindore”, theksoi ai.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian dhe NATO duhet të kenë reagim të qartë për sulmin në veri të Kosovës dhe të përkrahin institucionet kosovare.
Sipas tij, Serbia mori mesazhe të qarta nga komuniteti ndërkombëtar për dërgimin e ushtrisë në kufirin me Kosovën.
“Gjithashtu reagimi i komunitetit ndërkombëtar, këtu mendoj për BE-në, NATO-në dhe përfaqësuesit ndërkombëtar të tjerë që veprojnë në Kosovë duhet të jenë të qarta dhe të forta. Duhet të përkrahin institucionet e Kosovës para se gjithash pasi bëhet fjalë për territor të Kosovës. Në anën tjetër duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar çfarëdo lloj eskalimi të gjendjes. Kemi dëgjuar mesazhe të qarta nga aktorët global që i kanë dërguar Serbisë që të tërhiqen menjëherë forcat që i kanë dërguar drejt kufirit të Kosovës. Kjo tregon se komuniteti ndërkombëtar është i interesuar për paqe për normalizim të raporteve për të vendosur një situatë që negociatat me ndërmjetësim evropian të vazhdojnë më tutje”, shtoi kryeministri kroat.
Ai përmendi edhe diskutimet joformale që po ndodhin në Bashkimin Evropian për t’i vendosur masa ndëshkuese Serbisë, të ngjashme sikur që janë ndërmarrë ndaj Kosovës.
“Bëhet fjalë për masat të cilat Komisioni Evropian mund t’i ndërmarrë. Bëhet fjalë për disa prej programeve të Bashkimit Evropian, masa të tilla që janë ndërmarrë edhe ndaj Kosovës para sa muajsh. Prandaj një diskutim i thellë do të vazhdojë”, theksoi ai.
Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se vrasja e rreshterit policor në Kosovë dhe zija kombëtare në Beograd janë të dënueshme dhe të papranueshme.
Ai shtoi se edhe shfaqja e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën vetëm nxit tensione, andaj edhe mirëpriti tërheqjen e tyre.
Ndërkaq nënvizoi se Bashkimi Evropian duhet të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë për këtë veprim.
“Vrasja e një efektivi të Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal i armatosur deri në dhëmbë dhe i veshur ushtarakisht në territorin e Republikës së Kosovës dhe zija kombëtare e shpallur në Beograd për anëtarët e këtij grupi që u eliminuan nga forcat e sigurisë së Kosovës janë të pajustifikueshme, të papranueshme dhe janë të dënueshme në të gjitha nivelet. Ky është qëndrimi ynë dhe pa diskutim që duke qenë promotorë të dialogut të normalizimit të paqes përfundimtare që kalon nga njohja përfundimtare e Republikës së Kosovës…Shfaqjet e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën të cilat vetëm nxisin tensione dhe rrisin frymën e ndasive të cilat ne duhet t’i kurojmë. Është pozitive që ushtria serbe filloi të zmbrapset dhe tërhiqet. Por është shumë negative që ushtria serbe përdoret për shfaqje të tilla që nuk i shërbejnë interesave afatgjata”, theksoi Rama.
Po ashtu në kuadër të kësaj vizite zyrtare të Ramës në Zagreb, Kroacia iu shtua sot listës së shteteve me të cilat Shqipëria, gjegjësisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka nënshkruar marrëveshje për njohjen reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, kudo ku ata jetojnë e punojnë të mos humbasin asnjë ditë pune për përfitimin e pensionit./KosovaPress/