Përgatiti: Sara Shehu
“Race for the Cure Prishtina” është aktivitet që organizohet për të pestën herë me radhë në kryeqytet e që ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin e sëmundjes së kancerit të gjirit.
Edhe këtë vit, qindra persona i janë bashkuar vrapimit i cili u zhvillua nga sheshi “Ibrahim Rugova”, në kryeqytet deri te rrethi i flamurit.
Sabije Maliqi, 66 vjeçare është njëra nga gratë e cila aktualisht është duke luftuar kancerin e gjirit. Ajo theksoi se e ka mjaft të vështirë trajtimin e sëmundjes, pasi sipas saj institucionet shëndetësorë nuk kanë kapacitete të mjaftueshme.
“Jam në luftë me këtë sëmundje, në natën e vitit të ri jam operu. Shyqyr zotit fëmija po më japin vullnet e jom qetu. Institucionet duhet me pas ma shumë kapacitete, se unë shumë harxhime kom pas për do ilaqe 250 euro. E unë pensioniste me 100 euro s’ki as qa bon s’të dalin për barna mos me kanë fëmijët”, tha Sabije Maliqi, qytetare.
Violeta Pirana, nga Organizata Joqeveritare “Renesanca”, tha se mbështetja për këto gra duhet të jetë gjatë tërë vitit.
“Nuk duhet të ndalemi vetëm në tetor, duhet të luftojmë edhe 11 muaj të tjerë, sepse numri është në rritje e sipër, nuk është koha që të rrijmë e koha të na merr, kemi mamografi, mjek onkologji, që këto sëmundje t’i luftojmë”, tha Pirana.
Teksa këto raste për shërim i drejtohen klinikës së Onkologjisë në QKUK, drejtori i klinikës, Ilir Kurtishi, tha se janë duke trajtuar një numër të madh të rasteve me këtë lloj të kancerit.
“Klinika e Onkologjisë është në ballë të kësaj sfide. Gjatë ditës trajtojmë mbi 350 pacientë që është numër rekord në rajon. Ne duhet ta ngrisim vetëdijen se shërim i kësaj sëmundje është verifikimi i hershëm”, tha Kurtishi.
Megjithatë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, premtoi se me aktivitete të ndryshme, kryeqyteti në vazhdimësi do të jetë krah rasteve me kancer të gjirit.
“Jemi bërë bashkë kundër një beteje, kundër kancerit të gjirit, një sëmundje që ndan familje, kjo nuk është vetëm aspekti gjinor, nuk i prek vetëm femrat por edhe meshkujt, ne si kryeqytet po i hapim këto mundesi për të gjitha komunat e Kosovës. Beteja mund të fitohet dhe do ta fitojmë edhe të ardhmen, nuk do të ndalemi deri sa numri i vdekjeve nga kanceri i gjirit të jetë zero”, tha Rama.
Drejtoria e Shëndetësisë në Prishtinë, gjatë tërë muajit tetor, do të ofrojë mamografi falas në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, atë të lagjes “Dardania” dhe në QMF “Veternik”.
Në shënim të muajit të kancerit të gjirit, disa autobusë të Trafikut Urban në Prishtinë janë ngjyrosur me ngjyrë roze dhe do të ofrojnë shërbime falas për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë: