Përgatiti: Fatlum Jashari
Refuzimi i Serbisë për ta zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel më 2015, për hapjen e dy pikave të reja kufitare me Kosovën, ia lehtësoi hyrje-daljen në dhe nga Banjska e Zveçanit grupit terrorist të udhëhequr nga Milan Radojicic.
Marrëveshja ndërmjet dy shteteve parashihte hapjen e pikave kufitare: në Sfircë të Kamenicës, për të lehtësuar qarkullimin e ndërsjellë me Medvegjën; dhe në Izvor për të lehtësuar qarkullimin e ndërsjellë me Novi Pazarin.
Edhe pse Kosova ndërtoi pikën kufitare në Kapi të Sfricës më 2017, Serbia ende refuzon vendosjen e policëve atje, duke bllokuar funksionalizimin e saj.
Tetë vjet pas marrëveshjes, si pasojë e refuzimit nga Serbia nuk është hapur as pika kufitare në Izvor.
Në këto rrethana nuk u bënë investime infrastrukturore – gjë që ende vështirëson punën dhe vë në rrezik Policinë e Kosovës.
Pikërisht kjo dhe dy rrugët lidhëse me Banjskën dyshohet se u përdorën nga grupi terrorist, i udhëhequr nga Milan Radojicic, që sulmoi Policinë e Kosovës, vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi dy zyrtarë policorë.
Pas vetëm dy kilometrash në rrugën dytësore, në skaje të së cilës u panë kamionë, përfundon asfalti dhe vijon terreni i ngushtë malor për rreth 12 kilometra të tjera, para se të lidhet me rrugën parësore 1.5 kilometra nga kufiri.
Edhe rruga që do të duhej të konsiderohej kryesore, po ashtu mes malesh, me gjatësi rreth 15 kilometra nga Banjska në kufi, është e pashtruar dhe qarkullimi nuk është i mundshëm për të gjitha automjetet.
Pa asnjë bazë të përhershme dhe pa infrastrukturën e nevojshme rrugore, kjo zonë e thellë në viset kodrinore-malore në mes të rrugëve nacionale për në Jarinjë dhe Bërnjak, përbën terren të vështirë për Policinë e Kosovës.