Përgatiti: Teuta Arifaj
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se ende ka të panjohura lidhur me sulmin e së dielës ndaj Policisë së Kosovës. Sipas tij, grupi që sulmoi policinë, nuk përbëhej nga qytetarë që u takuan spontanisht “për të shprehur shqetësimet e tyre”.
“Ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë bashkë për t’i shprehur shqetësimet. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture duke marrë parasysh trajnimin dhe pajisjet”, tha Hovenier.
I pyetur rreth videos së publikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilën shihej se pjesë e grupit të armatosur në Banjskë ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, ambasadori Hovenier konfirmoi se e ka parë, por nuk mund as ta konfirmojë e as hedh poshtë vërtetësinë e videos.
E kam parë këtë video. Kaq mund të them. S’jam në pozitë të komentoj. Ka shumë gjëra që nuk dihen ende dhe kjo është e komplikuar, por këtë e marrim shumë seriozisht. Ishte kërcënim për Kosovën dhe popullin e Kosovës, me pasoja tragjike. Po punojmë me partnerët që të kuptojmë çka ka ndodhur dhe të mbahen përgjegjës ata që e bënë këtë. Jemi me popullin e Kosovës kur përballen me kërcënime dhe kjo do të vazhdojë edhe në këtë rast”, tha Hovenier.
I pyetur se çfarë pret tani nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – Hovenier u përgjigj se pret zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.
Ambasadori amerikan komentoi zhvillimet e së dielës pas takimit që pati gjatë ditës me presidenten Vjosa Osmani.