-1.4 C
Pristina
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Avokatët i quajnë të padrejta e për spektakël bastisjet e Speciales: Po mundohet ta mbajnë situatën e tensionuar

Avokatët në vend i kanë quajtur të padrejtë dhe më shumë për spektakël bastisjet e fundit nga ana e EULEX-it në shtëpitë e familjarëve të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Arsye sipas tyre, janë pretendimet për të gjetur gjurmë të reja që ndikojnë në gjykim dhe në dëshmitarë.

Avokati Tomë Gashi, ka thënë se formimi i Gjykatës Speciale, nuk do të duhej të lejohej që nga fillimi.

Sipas tij, kjo fuqi ekzekutive i është dhënë Gjykatës Speciale nga vetë Kosova e deri sa të kemi një gjykatë të tillë, do të kemi edhe njësi policore të EULEX-it në vend.

“Kemi pasur disa bastisje dhe së paku në tri raste, ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kanë afërsi me ata që fatkeqësisht janë duke u gjykuar në Hagë, janë marrë në intervistim nga ana e EULEX-it dhe u janë konfiskuar telefonat. Mendoj që është fare e qetë, ata po pretendojnë se mund të gjejnë gjurmë të ndikimit në gjykime apo të ndikimit në dëshmitarë, respektivisht çështjeve të cilat janë të ndaluara, sipas tyre që është pengim i drejtësisë”, ka thënë Gashi për Ekonomia Online.

Ai ka thënë se duhet pritur rezultatet e ekspertizës, për të parë se çfarë kanë gjetur nga këto konfiskime, në mënyrë që të komentohen bastisjet.

“Do të bëhen ekspertiza se a po gjejnë fakte apo jo për çështje që ata pretendojnë se janë të ndaluara. Kjo situatë më së shumti është shprehur kinse nën ndikim të gjykimeve që po bëhen në Hagë, për të cilat nuk mund të flasim deri sa t’i shohim rezultatet, se çfarë do të gjejë ekspertiza në lidhje me konfiskimin e këtyre telefonave dhe pajisjeve të tjera”, u shpreh ai.

“Këto bastisje nuk janë të drejta, por ne ja kemi dhënë një fuqi me votimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015. Kanë kaluar më shumë se 8 vite dhe jemi në një situatë ku i kemi dhënë fuqi ekzekutive Gjykatës Speciale dhe ajo përmes pjesëtarëve të policisë së EULEX-it po kryen çështje ekzekutive, të cilat më herët nuk kanë ndodhur. Deri sa të kemi Gjykatë Speciale, do të kemi edhe njësi të policisë së EULEX-it në Kosovë”.

I pyetur nëse këto bastisje po bëhen në mungesë të provave në Hagë, sipas deklaratave të disa analistëve vendas, Gashi ka thënë se ato janë konotacione politike e se askush nuk i di të gjitha provat që i posedon Prokuroria.

“Nuk mund të themi se çfarë prova ka Prokuroria Speciale në Hagë sepse askush nuk i di, përveç çështjeve të cilat ata i kanë bërë publike. Prokuroria e ka rolin kryesor që t’i paraqesë provat e saj”.

“Janë më shumë konotacione politike. Secili që e thotë këtë duhet të ketë një bazë. Megjithatë, deklarimet janë të lira sepse ne jemi shtet demokratik. Por duhet të themi se fatkeqësia është që nga votimi i Gjykatës Speciale kur e kemi deleguar një pjesë të sovranitetit juridik në Hagë, në një shtet krejtësisht tjetër”.

Deputetët e Kosovës, siç ka thënë Gashi, kanë votuar për një gjykatë pa ditur mirë se çfarë përmban ajo, e cila është një gjykatë “anti-kombëtare, anti-shqiptare, anti-Kosovës dhe anti-UÇK”.

“Është ironike, disa nga deputetët e Kosovës që e kanë votuar atë, thuajse nuk e kanë ditur se çfarë po votojnë dhe tani kanë kundërshtime me gjykimet që po mbahen atje”.

“Duhej ta dinim në atë kohë dhe mos ta lejonim formimin e Gjykatës Speciale, e cila në prizmin tim është anti-kombëtare, sepse kemi së paku edhe një person i cili po kërkohet nga Shqipëria, që është arrestuar që më shumë se një muaj e gjysmë dhe i cili po kërkohet të transferohet në Hagë. Pra, kemi një gjykatë anti-kombëtare, anti-shqiptare, anti-Kosovës dhe anti-UÇK”.

E për avokatin Ardian Bajraktari, këto bastisje janë si rezultat i disfatës që Prokuroria po e merr nga pala mbrojtëse.

Tutje, ai i ka quajtur spektakël dhe tendencë për ta mbajtur situatën e tensionuar në raport me Dhomat e Specializuara.

“Sa i përket çështjes së veprimeve të fundit të Dhomave të Specializuara, natyrisht që ato rezultojnë veprime spektakle të ndodhura në disfatë të vazhdueshme në procesin gjyqësor i cili po zhvillohet atje. Duhet të keni parasysh faktin që deri tash, të gjithë dëshmitarët që janë dëgjuar e propozuar nga ana e Prokurorisë dhe në këtë drejtim si rezultat i përgatitjes së mirë të palës mbrojtëse të njëjtit kanë arrit të ‘shpartallohen’ raportimet të mekanizmave ndërkombëtarë janë kryesisht të ardhur si rezultat i raporteve të Qeverisë së Serbisë. Andaj veprime të tilla janë tendencë për ta mbajtur situatën të tensionuar në raport me Dhomat e Specializuara, ndryshe janë veprime normale procedurale”, u shpreh ai.

Lidhur me këto bastisje, të premten kanë protestuar edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA