PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI
Dhjetëra punëtorë të shërbimit të sigurimit fizik të Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë protestuar sot. Ata kërkuan që sërish të kthehen nën menaxhimin e KEK-ut, ashtu siç iu ishte premtuar nga ekzekutivi.
Pakënaqësinë për mosrealizimin e premtimeve të ekzekutivit, punëtorët e sigurimit fizik e shfaqën duke gjuajtur me ve, në drejtim të zyrave të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Duke kërkuar që menaxhimi i kësaj kategorie të kthehet te KEK-u, ata protestuan për disa orë.
“Kërkesa jonë është të kthehemi nën menaxhimin e KEK-ut. S’jemi të kënaqur aspak. Neve as me tesha s’po na rrinë gati, qe 5 vjet të njëjtat i kam.”
“Unë nuk po e kuptoj as këtë qeveri, s’po e kuptoj se kur thoshte se neve po na bëhet padrejtësi dhe dilte përmes mediave dhe bisedonin dhe jepnin deklarata shumë të mira dhe ndihmëse. Por tash çka është bërë, andaj ne kërkojmë një takim urgjent me kryeministrin e vendit ku do t’ia shpjegojmë gjërat në detaje edhe pse ne besojmë se ai është i informuar shumë mirë, pasi kemi më së paku 30 e-maile zyrtare që i kemi dërguar.”
Në vitin 2004, një kompani private kishte bërë marrëveshje me Korporatën Energjetike të Kosovës, që punëtorët e sigurimit fizik të kalojnë nën menaxhimin e tyre. Por me të përfunduar marrëveshja trevjeçare, sipas kryetarit të sindikatës së punëtorëve ata u kontraktuan jashtëligjshëm.
Këta punëtorë në vitin 2004 janë huazuar. Pas kësaj huazimi që ka qenë 2 vite + 1, në vitin 2007 janë tenderuar jashtëligjshëm, dhe nuk kanë marrë asnjë aksion nga Korporata Energjetike e Kosovës. Nuk janë shkëputur kontratat me KEK-un. Pra ky departament padrejtësisht është tenderuar deri më tani. Me sinqeritet i lutem Qeverisë së Kosovës të ndërhyjë në bordin e KEK-ut, në menaxhmentin dhe zyrën e prokurimit, që të mos tenderohen ky departament më tutje, sepse janë duke u tenderuar jashtëligjshëm”.
Për t’i ruajtur objektet e korporatës energjetike të Kosovës janë të angazhuar rreth 375 punëtorë, të cilët në muaj marrin pagë 350 euro, që për një vit i bie 1 milion e 575 mijë. Mirëpo, KEK-u ndan 2 milionë e 700 mijë euro ndaj kompanisë që menaxhon punëtorët e sigurimit fizik, që i bie se kompania në fjalë përfiton gati 1 milion euro më shumë.
Kjo është protesta e dytë brenda muajit gusht, ku punëtorët e sigurimit fizik protestojnë për të shprehur pakënaqësitë e tyre që kanë për kushtet e punës.