PËRGATITI: DONISA FAZLIU
Rreth 51.200 aplikime janë bërë për 3 ditë në platformën E-Kosova, për subvencionimin e teksteve shkollore. Mirëpo, mosfunksionalizimi i kësaj platforme po del të jetë problem për prindërit. Derisa, sipas kryetarit të SBASHK-ut, mosshpërndarja e teksteve shkollore është sfidë e madhe për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Tri ditë i janë dashur Ganimete Muharremit, që të arrijë të aplikojë për subvencionim për blerjen e teksteve shkollore për vajzat e saj.
“Problem në platformën E-Kosova, po kemi shumë, ka 3 ditë që kam provuar me apliku për subvencionim, por sistemi nuk ka funksionuar dhe nuk po mundem me u kyç në sistem, nuk po e pranon as email-in, as kurrgjë dhe po kemi shumë problem.”
Ankesa si të Muharremit kanë edhe shumë prindër të tjerë. Kjo është konfirmuar edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.
“Ka pasë ankesa se prindërit kanë aplikuar shumë në të njëjtën kohë dhe se linku në platformën E-Kosova ka qenë i bllokuar, por sa po e shoh tash prindërit po aplikojnë pa problem.”
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj, tha se mosshpërndarja e teksteve shkollore do të jetë një sfidë e madhe për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Mësimdhënësit do të jenë të sfiduar ngase një pjesë e nxënësve do të fillojnë e do të vazhdojnë po tekste shkollore, e mësimdhënësit do të jenë në sfidë ngase me plan-program duhet të fillojnë, sidomos javën e dytë për të zhvilluar njësi nga ky vit shkollor, por do ta kenë vështirë sepse do të ndihen keq ngaqë disa fëmijë nuk kanë tekste shkollore dhe fatkeqësisht në vend që qeveria Kurti të sigurojë mjete për teknologji bashkëkohore, për loptop e projektor, që t’i ngjasojnë shkollat e Kosovës shekullit 21, ja që këtë vit shkollor po e fillojmë edhe më keq.”
Për 3 ditë sa është hapur aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore, në platformën E-Kosova, janë pranuar 51.200 aplikime. Për nxënësit e arsimit në nivelin e ulët, klasat 1 deri 5, do të ndahen nga 80 euro për tekstet shkollore, derisa për nxënësit e arsimit në nivelin e mesëm të ulët, klasat 6 deri 9, të cilët i kanë librat të siguruar nga viti paraprak, do të ndahen nga 30 euro për mjetet mësimore.