PËRGATITI: FITIM MAJKOVCI
Masa ndaj Kosovës dhe Serbisë ka paralajmëruar presidenti francez, Emmanuel Macron, nëse Kosova dhe Serbia s’e gjejnë gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës. Në një adresim nga Parisi, Macron tha se Franca dhe Gjermania janë të gatshme t’i rishikojnë zotimet e tyre për çështje ekonomike dhe vizat, për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar masa ndaj Kosovës e Serbisë, nëse dy vendet “nuk sillen me përgjegjësi” për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës.
Sipas Macronit, nëse palët dështojnë ta bëjnë këtë, Franca e Gjermania do t’i rishikojnë zotimet e tyre për çështje ekonomike dhe politikat të vizave për Kosovën e Serbinë.
“Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa u përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.”
Në fjalimin e tij të përvitshëm para ambasadorëve, nga Parisi, Macron bëri thirrje që palët të riangazhohen edhe për organizim të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.
Presidenti francez tha se marrëveshja e Brukselit, e njohur ndryshe edhe si ‘’plani francezo-gjerman’’ është rruga e duhur për situatën aktuale.
“Sa i përket dallimeve mes Kosovës dhe Serbisë edhe unë besoj që ky është një udhërrëfyes i mirë. Është përkrahur nga negociatorët evropianë dhe përfaqësuesit tanë, kështu që ne kërkojmë angazhim të plotë nga të dy palët. Çdo angazhim për organizim të zgjedhjeve të reja lokale, riangazhimi i serbëve në institucionet e Kosovës, njohja e komunave në Veri të Serbisë, në emër të autoriteteve të Kosovës, është i mirëseardhur. Ne presim që paqja të kthehet në këtë pjesë”.
Këto komente të Macronit vijnë në kohën kur Kosovës i është bërë thirrje vazhdimisht të kthehet në dialog me Serbinë dhe t’i organizojë zgjedhjet e reja në veri të vendit.