PËRGATITI: KRENARE MULLIQI
Prindërit të cilët kanë fëmijë nën moshën 6 vjeçare, nuk po mund të aplikojnë për subvencionim për tekstet shkollore në platformën e-Kosova. Kjo pasi që për t’i marrë parat mosha e fëmijës sipas njoftimit duhet të jetë mes 6 dhe 11 vjet. Nga Këshilli i Prindërve thonë se prindërit janë në telashe pasi një numër i konsiderueshëm prej tyre që fëmijët i dërgojnë në shkollë ende pa i mbushur 6 vjet.
Aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore po del të mos jetë i lehtë për prindërit. Sipas njoftimit në e platformën e-Kosova për t’i marrë parat mosha e fëmijeve duhet të jetë në mes 6 dhe 11 vjeçare.
Por, prindërit e fëmijëve të cilët ende nuk i kanë mbushur 6 vjet e që klasën e parë do ta fillojnë këtë shtator nuk mund të aplikojnë.
Madje ata as nuk kanë ndonjë informatë se kur do të rregullohet çështja ani pse kanë komunikuar me Ministrinë e Arsimit.
Edhe pse rreth kësaj çështje Ministria e Arsimit nuk ka dalë me ndonjë njoftim zyrtar, deri më tani i vetmi opsion për prindërit është emaili [email protected]
Të gjitha pyetjet e pranuara nëpërmes këtij emaili më pas shqyrtohen.
Sidoqoftë në gjithë rrëmujën në mes të MASHTI-t dhe prindërve punën më të lehtë e kanë librashitësit, që thonë se librat janë në dispozicion nga e hëna.
Për herë të parë pas 15 vjetësh Ministria e Arsimit njoftoi se tekstet shkollore këtë herë duhet të blihen nga vet prindërit të cilët do të subvencionohen.