PËRGATITI: ARTON HAMITI
Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begajt, presidentja Vjosa Osmani me 4-5 shtator, pritet të qëndrojë në Tiranë. Teksa vizita po konsiderohet e rëndësisë se veçantë, opinionistë nga kryeqendra shqiptare nuk besojnë se do të ndikojë në raportet e tensionuara të dy kryeministrave, Edi Rama e Albin Kurti.
Kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, kohëve të fundit, refuzuan ta takojnë njeri-tjetrin. Teksa, Edi Rama anuloi mbledhjen e përbashkët, Albin Kurti nuk e priti kryeministrin shqiptar në zyrë.
Megjithatë, rrugën e tyre nuk po e ndjek edhe niveli tjetër i lartë politik në Prishtinë e Tiranë. Me ftesë të homologut shqiptar, presidentja Vjosa Osmani me 4 dhe 5 shtator do ta vizitojë Shqipërinë.
Ndonëse nuk u zbardhen detaje, televizioni mëson se Vjosa Osmani do të pritet nga Bajram Begaj me ceremoni shtetërore. Për opinionistë nga Tirana, kjo vizitë ka rëndësi të posaçme.
Sidoqoftë, roli i dy presidentëve vlerësohet të jetë ceremonial, pa ndonjë ndikim të madh në raportet Kurti-Rama.
Në anën tjetër, disa nga marrëveshjet e nënshkruara në distancë mes Kosovës dhe Shqipërisë ende nuk kanë filluar të zbatohen.
“Për shkak të nënshkrimit në distancë, meqë mbledhja fizike nuk u mbajtë, gjatë muajit të kaluar janë ndjekur procedurat e komunikimit përmes kanaleve diplomatike, çka fatkeqësisht ka vonuar edhe fillimin zbatimit të tyre. Ju informojmë se 10 nga marrëveshjet e nënshkruara hyjnë në fuqi pas nënshkrimit, ndërsa 3 marrëveshje do të hyjnë ne fuqi pas përfundimit të procedurave te miratimit ose ratifikimit.”
Edhe pse nuk po takohen në Prishtinë e Tiranë, kryeministrat Kurti e Rama, do të jenë në një forum në Slloveni, që është planifikuar të mbahet në fund të gushtit.