Presidentja për reagimet rreth vizitës së Kurtit në Maqedoni të Veriut, keqkuptim që tejkalohet

Përgatiti: Arton Hamiti

Vizita e kryeministrit Albin Kurti, në Maqedoni të Veriut, ngjalli reagime të shumta.

Madje, presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, bëri thirrje që organizatorët e dy ngjarjeve në Çair dhe Tetovë, të sanksionohen. Mirëpo, presidentja Vjosa Osmani, mendon që vizita e kryeministrit kosovar është keqkuptuar.

“Kjo besoj që është një keqkuptim i vogël, që kur kemi vullnet të dyja palët, siç e kemi dëshmuar gjithnjë, tejkalohet, duke e ditur që të gjitha institucionet e Kosovës janë të interesuara vetëm për relacione pozitive gjithnjë në rritje me Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.

Presidentja foli edhe për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, që vazhdojnë të mbesin në fuqi, pavarësisht që sipas Osmanit, pala kosovare e ka respektuar marrëveshjen e Bratislavës plotësisht.

“Nuk është përgjigje që nxitë bashkëpunimin dhe koordinimin , përkundrazi është përgjigje e cila më së shumti i bën dëm procesit të dialogut që e qet komplet jashtë binarëve ku të dyja palët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë. Serbia ka pasur njerëz të saj që kanë sulmuar ushtarët e NATOS-. Për këta njerëz ka dëshmi të sakta. Ata njerëz janë në video, dihet kush janë, disa prej tyre janë policë të Serbisë dhe nuk ka asnjë masë të vetme në raport me Serbinë”, tha Osmani.

Teksa përmendi faktin se institucionet përkatëse po punojnë për të krijuar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, presidentja beson se serbët e veriut dëshirojnë të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.

“Unë jam e bindur që qytetarët dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, dhe për këtë jam e bindur nga komunikimet që kemi çdo ditë. Ata dëshirojnë të shfrytëzojnë këtë të drejtë, në mënyrë që të kenë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të zgjedhin kryetarët e komunave që e marrin votën e qytetarëve në zgjedhje të lira e demokratike. Mirëpo, deri më tani, unë nuk shoh ndonjë vullnet nga presidenti Vuçiq, që të ndërpresë agresionin institucional që vazhdimisht e kryen në raport me fqinjët”, tha Osmani.

Këto qëndrime, presidentja Vjosa Osmani i shpalosi gjatë një konference të përbashkët me kryetarin e komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA