PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti e prezantoi si prioritet ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, projekt në vlerë rreth 200 milionë euro. Por, ekspertë të infrastrukturës dhe ekonomisë vlerësojnë se para këtij projekti, Qeveria duhet të punojë në përfundimin e pesë projekteve për rrugët kryesore që lidhin kryeqytetin me Mitrovicën, Pejën, Gjilanin, Gjakovën dhe Podujevën.
Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Gjakovë dhe Prishtinë-Podujevë janë disa prej projekteve kryesore të papërfunduara në rrjetin e brendshëm tw rrugëve nacionale dhe autostradave.
Në këtë mes, rekordin më negativ për nga kohëzgjatja e mban projekti për rrugën dyshiritore nga kryeqyteti në drejtim të Mitrovicës – i ngecur në gjysmë.
Larg nga përfundimi mbetet projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë, ndonëse punimet në të nisën para plot 14 vjetësh.
Në faza e kohëzgjatje të ndryshme, me zvarritje janë përballur edhe punimet në relacionet tjera të lartpërmendura.
Për këto pesë rrugë, Qeveria këtë vit ka ndarë më pak se 50 milionë euro.
Megjithëkëtë, kryeministri Albin Kurti prezantoi si prioritet ndërtimin e një rruge të re Prizren-Tetovë, projekt në vlerë 200 milionë euro.
Edhe pse këtë rrugë e vlerëson të nevojshme, inxhinieri Driton Tafallari thotë se prioritet duhet të jetë përfundimi i rrugëve që qytetarët i përdorin çdo ditë.
“Këto rrjetet kanë mbetur jo me vite por me dekada papërfunduar. Unë e kuptoj se ka probleme serioze sidomos me shpronësim të një numri të madhe të tokave, mirëpo ajo që mua më duket e paarsyeshme është se pse Qeveria nuk e jep një plan ose afat kohor, me u tregu qytetarët se cila rrugë kur pritet me u kry dhe me iu mbajtë këtij plani”.
Pa mohuar rëndësinë e rrugës Prizren-Tetovë, Safet Gërxhaliu nga EK Consulting theksoi se ky projekt nuk mund të nis pa përfundimin e rrugëve kryesore brenda, të cilat i përshkroi në gjendje të mjerueshme.
“Të gjitha këto rrugë të filluara, qoftë nga Prishtina në Mitrovicë, qoftë në drejtim të Pejës, qoftë në drejtim të Merdares, apo edhe Shkupit, se sa kanë rëndësi gjeo-strategjike dhe politike, kanë rëndësi edhe ekonomike dhe integruese, prandaj duhet të jetë prioritet përfundimi i këtyre rrugëve dhe tek më vonë të mendohet në investime 200 milionëshe në rrugën Prizren-Tetovë. Nuk e konteston askush arsyeshmërinë kombëtare dhe nacionale, por të mendohet në mënyrë racionale, pa emocione dhe pa nacionalizëm politik”.
Gërxhaliu beson se deklaratat dhe veprimet e kryeministrit Kurti lidhen me ambiciet e tij politike.
“Shumë më tepër janë deklarata populiste dhe politike, që paralajmërojnë themelimin, si duket, të Vetëvendosjes në Maqedoni sesa që është prioritet për t’u implementuar. Në këtë drejtim duhet kuptuar fare mirë se me Maqedoninë nuk ka lojë dhe eksperimente, sepse është një shtet në rrugëtim shumë të shpejtë në familjen evropiane, është anëtare e NATO-s, prandaj besoj që duhet të tregojmë maturi politike, ekonomike dhe mbi të gjitha ndëretnike”.
Në Shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshje për rrugën Prizren-Tetovë, por ende nuk është finalizuar marrëveshja financiare – që përfshin ndërtimin e një tuneli prej 6.4 km.