Përgatiti: Arbnora Luta
Mbrojtja e Dragisha Millenkoviqit, i cili është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit ka dorëzuar një kërkesë në Qeverinë e Kosovës.
Avokati i Millenkoviqit, Dejan Vasiq, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes të intervistohet për këtë rast.
Duke përmendur faktin se Kurti, në kohën kur i dyshuari Millenkoviq ka punuar në burgun e Prishtinës, ka qenë i arrestuar, Vasiq thotë që dëshmia e kryeministrit është shumë e rëndësishme për klientin e tij.
“Kam dorëzuar kërkesën me të cilën lus që kryeministri në cilësinë e qytetarit të dëgjohet në Prokurorinë Speciale në lëndën e Dragisha Millenkoviqit nga Graçanica, lidhur me ngjarjet në burgun e qarkut të Prishtinës, sa ishte i mbyllur aty”, tha Vasiq.
Sipas Vasiqit, klienti i tij, madje, i ka dërguar libra kryeministrit Kurti sa ishte i burgosur në burgun, ku sipas Prokurorisë, Millenkoviq dyshohet se rrahu e keqtrajtoi civilë shqiptarë.
“Jam i sigurt që do ta shqyrtojnë kërkesën e të mos refuzojnë. Ai do të dëgjohej si qytetar bazuar në funksionin e tij. Jam i sigurt që ai do të përgjigjet sinqerisht. Nga biseda me klientin tim jam i sigurt që do t’i kujtojë ngjarjet, pres që kjo të ndodhë sepse nuk mendoj se ekziston ndonjë nevojë për pompozitet. Thjesht ky dëgjim do t’i ndihmojë prokurorisë të zbuloje të vërtetën. Kishim bashkëpunim të mirë me prokurorin e kësaj lënde”, tha Vasiq.
ATV-ja ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit për media, për një qëndrim rreth kërkesës së Vasiq, por nuk ka marrë një përgjigje.
Ndërkohë, sipas Prokurorisë Speciale, Dragisha Millenkoviq, i cili u arrestua në qershor të këtij viti, dyshohet se gjatë periudhës së luftës në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në burgun e Prishtinës dhe atë të Lipjanit ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile.
Ai dyshohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga burgu i Dubravës në këto dy burgje, i ka detyruar ata të kalojnë përmes një kordoni, duke i goditur me shkop, grushte dhe shqelma. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: