Përgatiti: Arton Hamiti
Peticioni në katër komunat veriore, po shihet si forma më e mirë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, sipas kryeministrit Albin Kurti. Kryeministri shpreson që të mos përsëritet situata kur serbët i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit.
“Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktualë. Jemi të hapur për këtë. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji”, tha Kurti.
Megjithatë, këtë ide nuk e përkrah kryetari i Zubin Potokut. Izmir Zeqiri mendon se kryetarët duhet të japin dorëheqje.
Kurse, kryeministri Albin Kurti mes tjerash, kërkoi nga Bashkimi Evropian, largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që, sipas tij, deeskalimi në veri ka ndodhur.
“Sa i përket masave që janë marrë ndaj nesh, ne konsiderojmë se nuk janë fer. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që të përfundojnë aq më mirë. Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropian sa më parë të përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Pasi një Republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova, meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese”, tha Kurti.
Teksa Bashkimi Evropian ka kërkuar datë për mbajtjen e zgjedhjeve, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ, për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri. Ky udhëzim, duhet të jetë gati deri më 1 shtator. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: