Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ndjekja e rregullave të regjistrimit nga ana e bizneseve është detyrë ligjore e jo “teknalitet”.
Këtë deklarim Kurti e ka bërë teksa ka komentuar vendimin e Ministrisë së Industrusë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e cila ka refuzuar ankesën e Klan Kosovës duke ia pezulluar veprimtarinë.
Kryeministri i ka dhënë mbështetje të plotë MINT-it “për kryerjen e detyrave përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur”.
“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, jo një “teknikalitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”, ka shkruar ai në Twitter.
Kreu i ekzekutivit tutje ka thënë se demokracia sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe sipas tij, zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias.
“Në demokraci, organet e autorizuara për të vendosur për raste të tilla nuk qëndrojnë në Zyrën e Kryeministrit. Megjithatë, këto organe kanë mbështetjen e plotë të Zyrës sonë në kryerjen e detyrave të tyre, përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur të rreshtuar kundër tyre. Liritë e medias janë jetike: sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë. Por, demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias”, ka përfunduar Kurti.