Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e GP të Vetëvendosjes, Jeta Statovci ka thënë se me ligjin për skemat pensionale janë larguar padrejtësitë shumvjeçare.
Ajo përmes një reagimi në rrjetet sociale ka shkruar se populli i Kosovës, në mesin e shumë padrejtësive që ju nënshtrua nga shteti i Serbisë, pësoi shumë kur dhunshëm qindra mijëra njerëz u larguan nga puna.
Ky është reagimi i Jeta Statovcit:
Kosova nuk është dashur të lejojë diskriminim në pensione për qytetarët e saj, për kohë kaq të gjatë!
Me votimin tonë sot në Kuvend, u vendosë të rregullohet kjo padrejtësi.
Populli i Kosovës, në mesin e shumë padrejtësive që ju nënshtrua nga shteti i Serbisë, pësoi shumë kur dhunshëm qindra mijëra njerëz u larguan nga puna, pra në shkelje të të drejtave dhe lirive elementare njerëzore.
Nëse ne dhe bota demokratike këtë e kemi quajtur diskriminim e shkelje të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, atëherë, çfarë kuptimi kishte që njerëzve tanë nuk ua kthenim të drejtat e mohuara?
Nga sot, stazhi dhe të drejtat tjera nga marrëdhënia e punes për rreth 70,000 pensionistë, janë rikthyer dhe kështu përveç ndikimit pozitiv në kuptimin e drejtësisë sociale, Kosova me akte konkrete po e materializon refuzimin e pushtimit e të veprimeve gjenocidale të Serbisë.