Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i shqetësuar për raportimet se zyrtarët e ri policorë në veri të vendit që vijnë nga komunitetet janë kërcënuar.
Hovenier, thotë se janë të papranueshme kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Ndaj plotësisht këto shqetësime. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës” ka thënë Hovenier.
74 policë të rinj të hënën morën detyrën e tyre në veri të vendit.
Nga këta 74 policë, 45 janë të komunitetit serb, 16 boshnjakë, 8 romë, ashkali e egjiptianë, si dhe 3 turq.
Me të marrë detyrën u raportua se të njëjtit janë kërcënuar disa herë.