Tensioni duket se po rritet në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, ku situata brenda skuadrës raportohet të jetë larg qetësisë.
Sipas gazetarit Anton Meana, i cili foli në emisionin “El Larguero” të Cadena SER, atmosfera në grup vazhdon të jetë e ftohtë, pavarësisht ndryshimeve të bëra gjatë kësaj vere dhe ardhjes së Jose Mourinhos në stol.
Madje, raportimet e fundit flasin edhe për një përplasje mes dy futbollistëve të Real Madridit. Identiteti i tyre nuk është bërë i ditur, por episodi ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet rreth gjendjes së skuadrës.
Meana ka theksuar se problemi kryesor brenda grupit nuk është zhdukur dhe se, pavarësisht ndryshimit të trajnerit, dinamika në dhomën e zhveshjes duket ende e njëjtë.
Në qendër të vëmendjes është edhe Kylian Mbappe. Sulmuesi francez është rikthyer në stërvitje me grupin pas dëmtimit të pësuar me kombëtaren dhe gjendja e tij fizike raportohet se është përmirësuar ndjeshëm.
Mbappe pritet të jetë në dispozicion të Mourinhos për sfidën ndaj Villarrealit, ndërsa klubi madrilen vazhdon t’i japë mbështetje të plotë.
Francezi ishte përfshirë në disa polemika gjatë pushimit të kombëtareve, por në Madrid nuk ka sinjale për një përçarje me lojtarin. Mourinho madje ka zhvilluar një bisedë me të, duke i kërkuar më shumë kujdes dhe qetësi jashtë fushës.
Tani, sfida për Real Madridin është të rikthejë qetësinë në grup, përpara një muaji jashtëzakonisht të ngarkuar.
Roma, Sevilla dhe Leipzig janë disa nga kundërshtarët që e presin skuadrën, përpara një përballjeje që të gjithë po e presin, El Clasico ndaj Barcelonës më 25 tetor.





