Kosova është gati për një tjetër sfidë në Ligën e Kombeve, teksa “Dardanët” të enjtën mbrëma do të përballen me Izraelin në Debrecen të Hungarisë.
Kosova hyn në këtë takim me një fitore dhe një humbje në dy ndeshjet e para. Pas triumfit ndaj Irlandës, skuadra e Franco Fodës u mposht nga Austria dhe tani synon të rikthehet te rezultatet pozitive.
Një ditë para përballjes, përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Ilir Krasniqi kanë dalë në konferencën për media, ku kanë folur për kundërshtarin, gjendjen e ekipit dhe pritshmëritë për ndeshjen.
Foda e vlerësoi lart kombëtaren e Izraelit, duke veçuar cilësitë teknike dhe shpejtësinë e futbollistëve të saj.
“Kombëtarja e Izraelit natyrisht që është shumë e fortë dhe pavarësisht rezultateve, këtë e ka treguar edhe në dy ndeshjet e fundit. Kanë futbollistë që janë shumë të mirë në aspektin teknik, janë shumë të shpejtë, prandaj presim ndeshje shumë të fortë, por normalisht që edhe ne do të mundohemi që të jemi sa më agresivë në këtë përballje.”
Një nga pikëpyetjet para ndeshjes mbetet edhe portieri Arijanet Muric, i cili pësoi lëndim në sfidën ndaj Austrisë.
“Aro Muric ka pësuar një lëndim në ndeshjen me Austrinë. Në stërvitjet e kaluara ka munguar për shkak të këtij lëndimi. Do të shohim sonte, pasi nuk mund të japim akoma një përgjigje nëse ai është i gatshëm për ndeshjen e nesërme apo jo.”
Përzgjedhësi i Kosovës e cilësoi ndeshjen si shumë të rëndësishme, por nuk pranoi ta quajë vendimtare për pozitën e parë në grup.
“Nuk mund të them se kjo ndeshje është vendimtare për pozitën e parë në grup, por absolutisht që është shumë e rëndësishme dhe secila ndeshje është shumë e rëndësishme. Mirëpo, për ne është e rëndësishme mënyra se si luajmë, si do të paraqitemi dhe sa kompakt do të jemi, për nga mënyra se si do t’i qasemi ndeshjes. Normalisht, është një prej ndeshjeve ku unë do të bëj ndryshime në formacion, krahasuar me ndeshjen paraprake.”
Në të njëjtën konferencë, Ilir Krasniqi e vlerësoi Izraelin si një kundërshtar të fortë, duke theksuar se Kosova duhet të jetë e gatshme për një ndeshje të vështirë.
“Fillimisht, nesër është ndeshje e vështirë, pasi Izraeli ka ekip të fortë dhe luan mirë teknikisht. Dinë të luajnë në hapësira të ngushta. I kemi parë pikat e forta dhe shpresojmë të qasemi mirë në fushë.
Kemi nevojë gjithmonë për përmirësime dhe mësojmë nga loja e kaluar. Nga Austria kemi mësuar të jemi më kompakt dhe të luftojmë për njëri-tjetrin.
Pra, nesër në fushë të paraqitemi si është më së miri.”
Kosova dhe Izraeli përballen të martën në Debrecen, me fillim nga ora 20:45, në një sfidë ku “Dardanët” synojnë të marrin rezultat pozitiv dhe të rikthehen te pikët në Ligën e Kombeve.





