Masa të shtuara sigurie do të zbatohen të dielën në Vjenë, në prag të ndeshjes mes Austrisë dhe Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve.
Sipas mediumit austriak “5 Minuten”, Drejtoria e Policisë së Vjenës ka vendosur një zonë të gjerë sigurie përreth stadiumit “Ernst Happel”. Masa do të jetë në fuqi nga ora 10:00 deri në 22:00, ndërsa tifozët pritet t’i nënshtrohen kontrolleve të rrepta.
Për këtë arsye, autoritetet u kanë bërë thirrje tifozëve që të planifikojnë kohë shtesë për hyrjen në stadium.
Zona e sigurisë nuk do të përfshijë vetëm hapësirat pranë stadiumit, por edhe pjesë të Krieau, Olympiaplatz, Stadioncenter, Stadionbad dhe Hauptallee.
Brenda kësaj zone, policia do të ketë kompetenca të veçanta për të larguar persona ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime se mund të kryejnë akte dhune, si dhe për t’u ndaluar hyrjen në zonën e përcaktuar.
Personat që shkelin ndalimin e hyrjes mund të gjobiten deri në 1,000 euro. Në rast përsëritjeje, gjoba mund të shkojë deri në 4,600 euro, ndërsa nëse gjoba nuk mund të paguhet, parashihet edhe dënim zëvendësues me burgim deri në katër javë.
Kontrolle të rrepta do të ketë edhe në hyrje të stadiumit. Tifozët do t’i nënshtrohen kontrollit të rrobave dhe çantave, ndërsa refuzimi i kontrollit nënkupton ndalimin e hyrjes në stadium. Nëse është e nevojshme, ky përjashtim mund të zbatohet edhe me forcë.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është se tifozët të cilëve u refuzohet hyrja për shkak të mospranimit të kontrollit nuk do të kenë të drejtë të kërkojnë kompensim për çmimin e biletës nga qeveria federale.
Austria dhe Kosova do të përballen të dielën, më 27 shtator, në stadiumin “Ernst Happel”, me fillim nga ora 19:00.





