Shtatë persona, përfshirë një 14-vjeçar, janë vrarë në Kiev nga sulmet ruse me dronë, ndërsa 46 të tjerë janë plagosur, bëri të ditur kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko. Më vonë, autoritetet raportuan se numri i të plagosurve në Kiev ishte rritur në 59.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha se 14-vjeçari kishte shtetësi izraelite, ndërsa nëna e tij ishte mes të plagosurve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se një depo e përdorur nga rrjeti amerikan i restoranteve McDonald’s ishte gjithashtu në shënjestër pranë Kievit.
Ndërkohë, një person u vra në rajonin e Odesës, në jugperëndim të Ukrainës, gjatë një sulmi ndaj një ndërtese të operatorit postar, sipas autoriteteve ukrainase.
Sulmet prekën edhe Zaporizhian, ku zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore u detyruan të evakuonin shtatë pacientë nga një spital pasi një sulm me dron dëmtoi ndërtesën dhe shkaktoi zjarr. Dy persona u plagosën.
Sulmet ruse kanë vijuar me intensitet, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, ka lënë të kuptohet se Moska po e rishikon qëndrimin për rifillimin e bisedimeve të paqes me Ukrainën.





