Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Justina Shiroka-Pula, ka deklaruar se institucioni që ajo drejton është i gatshëm të ndihmojë në hulumtimin dhe interpretimin e të dhënave dhe fakteve që lidhen me luftën në Kosovë.
Këtë qëndrim ajo e ka bërë të ditur në një reagim pas vendimit të fundit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Institucioni që unë e drejtoj është gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar proceset e hulumtimit, të kërkimit dhe të interpretimit të të dhënave dhe të fakteve lidhur me luftën në Kosovë”, ka shkruar Shiroka-Pula.
Në reagimin e saj, kryetarja e ASHAK-ut ka shprehur edhe rezerva ndaj mënyrës se si është konceptuar dhe funksionon Specialja, duke thënë se drejtësia duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme.
Ajo ka theksuar se proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje apo të një periudhe historike.
Shiroka-Pula ka bërë thirrje për transparencë, llogaridhënie dhe debat të argumentuar publik lidhur me institucionet e drejtësisë.





