Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, në një bisedë për Rubrikën “Komuna” në emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se komuna ka shtuar kapacitetin e punëtorëve për të siguruar një nivel të dëshirueshëm të pastërtisë në qytet, në mënyrë që të mirëpresin sa më mirë diasporën këtë verë.
“Po përkujdesemi. E kemi shtuar edhe kapacitetin e punëtoreve që këto ditë vere ku ne edhe mirëpresim diasporën, pastërtia në qytet të jetë në nivelin e dëshirueshëm.
Gjithashtu jemi në përpjekje që të themelojmë një ndërmarrje publike që puna primare e saj të jetë mirëmbajtja e hapësirave të gjelbërta”, tregoi Rahimaj.
Ai tha se Kamenica është qyteti me më së shumti gjelbërim në Kosovë.
“Nuk është që po e them vetëm unë, e kanë konfirmu edhe të tjerët. Është një qytet që njihet për infrastrukturën e saj që e ka ruajt vijën urbane, gjithashtu është edhe një prej qyteteve më të gjelbërta në Kosovë. Po besoj se këto atribute i kanë parë edhe të tjetër, ne vetëm po i shpalosim dhe po krenohemi me to”, tha Rahimaj.
Në këtë bisedë me ATV-në, ai foli edhe për gjendjen e komunës si dhe sfidat e përditshme me të cilat përballen.
“Ka sfida të natyrave të ndryshme. Ne sfidat e i përcaktojmë bashkë me qytetarët se cilat mund t’i zgjidhim. Sigurisht që ne si qeveri kemi objektiva që duam t’i arrijmë, por primare për ne janë problemet që qytetarët i kanë në lokalitetet e tyre. Kemi mbajtur 27 dëgjime buxhetore dhe shumë shpejt para kuvendit do të propozojmë edhe buxhetin për vitin 2024. Në aspektin e sfidave të gjithmbarshme është procesi i zhvillimit jo në nivelin e duhur, një zhvillim i ngadaltë, por edhe procesi tjetër që ka të bëjë me procesin e migrimit, ku të rinjtë dhe të rejat nuk e shohin si perspektivë të mjaftueshme Kamenicën”, tha Rahimaj. /atvlive.tv
Bisedën e plotë të kryetari të Kamenicës, Kadri Rahimaj, me ATV-në e gjeni në videon më poshtë:
Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: