Një ditë para përballjes mes Kosovës dhe Republikës së Irlandës në Ligën e Kombeve, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur në një darkë zyrtare homologun e tij irlandez, Paul Cooke.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe delegati i UEFA-s për ndeshjen, Andrey Medintstev, ndërsa në fokus të bisedimeve ishte bashkëpunimi mes dy federatave dhe zhvillimi i futbollit.
Ademi ka bërë të ditur se gjatë darkës i ka uruar mirëseardhje presidentit Cooke dhe delegacionit irlandez, duke theksuar rëndësinë e mikpritjes dhe respektit të ndërsjellë, vlera që, sipas tij, futbolli duhet t’i përcjellë edhe jashtë fushës.
“Një ditë para ndeshjes Kosovë–Irlandë në kuadër të Ligës së Kombeve, pata kënaqësinë të shtroj darkën tradicionale për delegacionin e Federatës së Futbollit të Irlandës, të kryesuar nga presidenti Paul Cooke, si dhe për delegatin e ndeshjes nga UEFA, Andrey Medintstev”, ka shkruar Ademi.
Sipas presidentit të FFK-së, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimin e futbollit në të dyja vendet, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet federatave anëtare të UEFA-s.
Në bisedë, presidenti irlandez Paul Cooke e ka përgëzuar Ademin për progresin dhe rezultatet e arritura nga futbolli kosovar në vitet e fundit, veçanërisht pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Takimi është mbyllur me shkëmbimin e dhuratave simbolike mes dy federatave, në shenjë respekti dhe miqësie.
Në fund, Ademi ka uruar që përballja e Kosovës me Irlandën të zhvillohet në një atmosferë sportive, me respekt dhe korrektësi, duke shpresuar që ndeshja në “Fadil Vokrri” të jetë një spektakël i vërtetë për tifozët.
Kosova dhe Irlanda përballen sonte në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Kombeve.





