Finalja e ProCredit Superkupës së Kosovës 2026 nuk do të zhvillohet sipas planit fillestar.
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka bërë të ditur se përballja mes Trepçës dhe Bashkimit, e paraparë për 15 shtator, është shtyrë për një datë tjetër.
Pas kërkesës së bërë nga Komuna e Rahovecit, Bordi i FBK-së ka vendosur që finalja të zhvillohet më 29 ose 30 shtator 2026, në Palestrën Sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.
Sipas FBK-së, kërkesa për shtyrjen e ndeshjes lidhet me çështje teknike dhe organizative, me synimin që të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme për një organizim sa më të mirë të finales.
Megjithatë, ende nuk është përcaktuar saktësisht se në cilën prej dy datave do të zhvillohet sfida dhe as ora e fillimit.
FBK ka bërë të ditur se data dhe koha përfundimtare do të caktohen pas koordinimit me Komunën e Rahovecit dhe KB Rahovecin 029, ndërsa vendimi do t’i komunikohet me kohë opinionit publik.
Kështu, tifozët e Trepçës dhe Bashkimit do të duhet të presin edhe disa ditë për ta mësuar datën definitive të finales së Superkupës.





