Prishtinës iu shtua edhe një hapësirë e re gjelbëruese në dy rrethrrotullimet.
Nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, tha se në këtë hapësirë janë punuar rreth 1 mijë hektarë.
“Jemi duke i punuar rrethet në hyrjet të qytetit. Siç kem premtuar në kampanjë për Prishtinën e gjelbër dhe e kemi pas gjelbërimin si thelbësor, tani veç se keni filluar me i pa frytet, i kemi punuar këto rreth 1 mijë hektarë hapësirë të re, është një formë tjetër e punës. Po punohet në shumë lagje, do ta hapim parkun edhe te Fakultetit Teknik, janë disa parqe që po punohen paralelisht”, tha nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj .
Për shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, drejtoresha e Hapësirave Publike dhe Parqeve, Donika Çetta, tha se janë ndarë mbi 1 milion euro.
“Jemi në vazhdën e rritjes së hapësirave të gjelbëruara, sot është përpunimi në dy rrethet në hyrje të Prishtinës. Këtë vit në buxhet 1 milion e 300 mijë për hapësira të gjelbra dhe parqe”, tha Çetta.
Por, qytetarët kanë mendime të ndryshme për këto investime.
“Është një hap shumë i duhur krijimi i hapësirave të tilla. Janë të qëlluara për qytetarët e kryeqytetit”, tha një qytetar.
“Nuk ka mjaftueshëm vende të gjelbëruara, institucionet duhet të krijojnë më shumë hapësira të tilla, ata janë vonuar shumë”, thotë një qytetar tjetër.
Ndryshe, zyrtarët komunalë kanë bërë të ditur se me rritjen e numrit të hapësirave të gjelbra do të përmirësohet edhe cilësia e ajrit në kryeqytet. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:





