Real Madridi ka identifikuar Martin Zubimendin si një nga objektivat kryesorë për përforcimin e mesfushës para mbylljes së afatit kalimtar.
Mesfushori spanjoll shihet si alternativa ideale për të organizuar lojën dhe për t’i dhënë më shumë liri Jude Bellinghamit, ndërsa do të plotësonte edhe profilin fizik të Aurelien Tchouamenit dhe Federico Valverdes.
Sipas raportimeve nga Spanja, Zubimendi është i hapur për një transferim në Madrid. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet çmimi i kartonit të tij. Real Madridi nuk dëshiron të paguajë më shumë se 75 milionë euro, ndërsa Arsenali kërkon një shifër dukshëm më të lartë, që mund të arrijë deri në 120 milionë euro.
Në Madrid e konsiderojnë këtë shumë të ekzagjeruar për një lojtar 27-vjeçar dhe nuk kanë ndërmend të nisin negociatat zyrtare nëse kërkesat e Arsenalit nuk ulen.
Për të krijuar hapësirë në skuadër dhe për të financuar një lëvizje të mundshme, drejtuesit e Real Madridit po shqyrtojnë edhe largimin e Eduardo Camavingas, për të cilin interesohet Manchester United.
Koha është e kufizuar, pasi merkatoja mbyllet më 1 shtator dhe Real Madridi duhet të marrë një vendim të shpejtë nëse dëshiron ta transferojë Zubimendin në “Santiago Bernabéu”.





