Një gjerdan i rrallë me qindra diamante, që dikur i përkiste Mbretëreshës Nazli të Egjiptit, është vjedhur nga Muzeu i Arteve të Aplikuara në Vjenë.
Bizhuteria, e punuar nga shtëpia e njohur franceze Van Cleef & Arpels, ishte pjesë e një ekspozite që përfshinte më shumë se 300 vepra.
Sipas të dhënave të muzeut, gjerdani përmban 673 diamante me një peshë totale prej mbi 200 karatësh dhe dikur ishte në pronësi të Mbretëreshës Nazli të Egjiptit.
Ajo e kishte mbajtur bizhuterinë në vitin 1939, gjatë dasmës së vajzës së saj, Fauzia, me Mohammad Reza Pahlavin, i cili më vonë u bë Shah i Iranit.
Gjerdani ishte shitur për rreth 4.3 milionë dollarë në një ankand të Sotheby’s në Nju Jork në vitin 2015.
Sipas policisë austriake, dy persona të panjohur kanë hyrë me forcë në vitrinën ku ndodhej bizhuteria, në kohën kur muzeu ishte i hapur, dhe më pas janë larguar me vrap.
Autoritetet kanë publikuar pamje të dy personave të dyshuar, të kapur nga kamerat e sigurisë brenda muzeut.
Nga grabitja nuk është raportuar për persona të lënduar, ndërsa policia po vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Gjerdani mbetet ende i zhdukur.







