Një delegacion i kadetëve nga Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka marrë pjesë në Javën Ndërkombëtare të Kadetëve, e cila është zhvilluar në Akademinë Ushtarake në Dresden të Gjermanisë.
Sipas FSK-së, vizita është realizuar në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe forcimit të marrëdhënieve ushtarake ndërkombëtare.
Në këtë aktivitet morën pjesë udhëheqës të ardhshëm ushtarakë nga vende të ndryshme aleate, ndërsa kadetët e Kosovës patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja dhe të njihen me metodat bashkëkohore të trajnimit, doktrinës dhe udhëheqjes ushtarake.
FSK-ja ka bërë të ditur se pjesëmarrja në këtë aktivitet shërben edhe për forcimin e diplomacisë mbrojtëse dhe ndërtimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë që në fazat e para të karrierës ushtarake.
“Përfaqësimi i dinjitetshëm i kadetëve tanë dëshmon edhe një herë përkushtimin e forcave tona për ngritjen profesionale sipas standardeve më të larta të NATO-s”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Nga FSK-ja kanë përgëzuar kadetët për përfaqësimin e Kosovës në këtë aktivitet ndërkombëtar.





